Secondary Adv

Protestat në Serbi, Vuçiç: Qeveri të re brenda 10 ditëve, ose zgjedhje të parakohshme

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u adresua publikut pas mbledhjes urgjente të qeverisë, e cila u mbajt pas dorëheqjes së kryeministrit Millosh Vuçeviq.

Në këtë fjalim, ai preku një sërë çështjesh të rëndësishme që lidhen me situatën aktuale politike, tensionet në vend dhe të ardhmen e qeverisë së Serbisë.

 

Dorëheqja e Vuçeviçit

Kryeministri Millosh Vuçeviç dha dorëheqjen e tij të parevokueshme pas incidenteve të fundit në Novi Sad, ku studentët u sulmuan nga disa individë. Vuçiç e përshkroi këtë akt si një dëm të madh për shtetin dhe kritikoi ashpër autorët e ngjarjes.

 

“Vuçeviç ka kryer një punë të shkëlqyer gjatë mandatit të tij. Ai ka sjellë stabilitet ekonomik, rritje të konsiderueshme ekonomike dhe ka treguar përkushtim ndaj Serbisë. Megjithatë, për shkak të situatës së krijuar, përgjegjësia politike ishte e domosdoshme,” tha Vuçiç, duke vlerësuar dorëheqjen e tij si një akt që hyn në analet e përgjegjësisë politike.

 

Formimi i qeverisë së re ose zgjedhjet e parakohshme

Presidenti Vuçiç sqaroi se procesi pas dorëheqjes së kryeministrit është i qartë:

 

“Pas dorëheqjes, Parlamenti Kombëtar ka 30 ditë për të formuar një qeveri të re. Nëse kjo nuk ndodh, automatikisht shpallen zgjedhjet e reja,” tha ai.

 

Ai shtoi se është i hapur për të gjitha opsionet dhe se vendimi për formimin e qeverisë së re ose mbajtjen e zgjedhjeve do të merret brenda 10 ditëve të ardhshme, Nëse vendimi është negativ, atëherë vendi do të ketë zgjedhje të parakohshme në 75 ditë.

 

Ngjarjet e Novi Sadit dhe rëndësia e rendit publik

Duke iu referuar incidenteve në Novi Sad, Vuçiç dënoi ashpër sulmet ndaj studentëve, duke theksuar se askush nuk është mbi ligjin, përfshirë edhe anëtarët e Partisë Progresive Serbe (SNS).

 

“Falangat që sulmojnë të tjerët dhe kërcënojnë stabilitetin do të mbajnë përgjegjësi, pavarësisht përkatësisë së tyre politike,” tha Vuçiç.

 

Ai shtoi se do të sigurohet që policia të mbrojë të gjithë qytetarët dhe të parandalojë çdo incident të ngjashëm në të ardhmen.

 

Thirrje për dialog dhe shmangie të konflikteve

Vuçiç bëri thirrje për uljen e tensioneve dhe fillimin e dialogut si mënyra e vetme për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në vend, duke kërkuar nga qytetarët të shmangin çdo formë konflikti.

 

“Mos hyni në përplasje dhe konflikte. Serbisë i duhet paqe dhe stabilitet. Kjo është e vetmja mënyrë për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për vendin tonë,” tha ai.

 

Plotësimi i kërksave të studentëve dhe falja e atyre të arrestuar gjatë protestave

Në lidhje me kërkesat e studentëve për faljen e disa të arrestuarve gjatë protestave, Vuçiç njoftoi se do të nënshkruajë aktin e faljes për 13 persona brenda ditës së nesërme. Ai gjithashtu iu përgjigj kritikave nga kundërshtarët politikë, duke thënë se këto sulme vijnë nga ata që kanë humbur mbështetjen në skenën politike.

 

"Me krenari theksoj se mbrëmë kemi paraqitur gjëra të rëndësishme për të ardhmen e vendit tonë, mbi të gjitha kemi plotësuar plotësisht të gjitha kërkesat që studentët kishin vendosur, duke kryer një punë që nuk ishte e lehtë. Kemi zgjidhur disa çështje që bien ndesh me parimet e mia dhe që lidhen me faljen e ndjekjeve penale. Nata në Autokomandë kaloi shumë qetë, policia mbrojti të gjithë. Jemi të kënaqur me atë që kemi arritur, jo sepse jemi naivë dhe presim që dikush të vijë e të thotë "i keni plotësuar të gjitha"",- tha ai.

 

Kthimi tek puna dhe ruajtja e stabilitetit

Në fund, Vuçiç ftoi qytetarët të fokusohen te puna dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit.

 

“Serbia mund të ecë përpara vetëm me punë dhe përkushtim. Ne do të ruajmë stabilitetin dhe sigurinë për të gjithë qytetarët,” përfundoi ai.

 

E ardhmja e Serbisë pritet të qartësohet në ditët e ardhshme, me vendimin për formimin e qeverisë së re ose mbajtjen e zgjedhjeve të reja si hapi i radhës. /Shqiptarja


Më të lexuarat